User:Luboteni/sandbox

From Wikipedia, the free encyclopedia

Bekim Ramadani[edit]

Ciklin tetëvjeçar e ka mbaruar në shkollën fillore “Liria” në Tetovë, kurse arsimin e mesëm në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” e po këtij qyteti.

Ka diplomuar në Fakultetin e Muzikës të Universitetit Shtetëror të Tetovës (2001) në lëndën e “Formave muzikore” te dirigjenti i njohur - maestro Tomisllav Shopov (Tema: “Zhvillimi historik i simfonisë dhe analiza e Simfonisë së pestë të Betovenit”).

Studimet pasuniversitare i ka ndjekur në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (2005-2006), në klasën e Prof. Dr. Fatmir Hysit ku ka marrë titullin - Magjistër i Muzikologjisë (Tema: “Estetika e muzikës ndërmjet Hanslikut dhe Blohut”).

Ka doktoruar në Institutin e folklorit “Marko Cepenkov” në Shkup (2018) ku nën udhëheqjen e Prof. Dr. Rodna Veliçkovska ka mbrojtur temën e disertacionit nga fusha e Etnomuzikologjisë: “Rrugët e zhvillimit dhe karakteristikat e folklorit muzikor shqiptar në Tetovë dhe rrethina“.

Ka punuar si mësimdhënës në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup (2001-2003), pastaj një kohë në universitetin “AAB” në Prishtinë (2005 – 2006), kurse tani është në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” të Tetovës (2004-2022) ku me sukses udhëheq edhe korin e vajzave, me të cilin formacion vokal ka arritur që për pesë vite me radhë të shpërblehet me çmimet më të larta në garat regjionale dhe republikane. Si ligjërues me “part time” është i angazhuar edhe në Fakultetin e Muzikës në Universitetin e Tetovës (2011–2022) ku realizon orët e lëndëve që ndërlidhen me Folklorin muzikor dhe grupin e lëndëve nga Informatika në muzikë.

Bekim Ramadani ka ndjekur ligjërata të shumta, punëtori, seminare, webinare dhe trajnime të ndryshme nga fusha e mësimdhënies dhe modernizimit të arsimit.

Gjatë jetës së tij prej artisti, Bekim Ramadani ka ndihmuar zhvillimin e jetës kulturore duke dhënë një kontribut të pamohueshëm në ShKASh. “Xheladin Zeqiri” të Tetovës si fizarmonicist dhe udhëheqës artistik, ndërkaq si njeriu kyç i grupit të njohur muzikor “Margaritarët” ka arritur që të njihet më hollësisht me elementet, kushtet dhe vlerat folklorike të traditës shqiptare duke i përjetuar ato si një thesar të çmuar të kulturës jomateriale. Duke marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ku ka prezantuar me përkushtim folklorin shqiptar, ai ka pasur mundësinë që të njihet jo vetëm me folklorin e popujve të tjerë, por edhe të analizojë ndikimet dhe marrëdhëniet reciproke, ngjashmëritë dhe dallimet e tyre. Në këtë mënyrë e ka kuptuar edhe nevojën për një rezistencë më të fuqishme ndaj devijimeve në muzikën popullore shqiptare.

Bekim Ramadani merret edhe me problemet teorike të artit, me fenomenet kulturore, si dhe përditshmërinë e zymtë artistike të ditëve tona duke shkruar artikuj të ndryshëm si: analiza, vështrime, qasje, impresione, studime dhe kritika të cilat i gjejmë të botuara nëpër gazeta dhe revista të ndryshme. Merret aktivisht me hulumtime në fushën e muzikologjisë dhe të etnomuzikologjisë. Merret po ashtu edhe me notografim dhe melografim. Si studiues është paraqitur përmes kumtesave dhe referateve të shumta nëpër seminare, simpoziume dhe konferenca të ndryshme, brenda dhe jashtë shtetit.

Deri më tani i ka botuar: 8 përmbledhje këngësh korale (“Këngë të zgjedhura korale”, “Asgjë nga balta e fjalëve”, “Kush këndon keq s’mendon”, “Nga kënga në këngë“, “Dëgjo këngën dhe harro brengën”, “Jehon kënga korale”, “Na bashkoi kënga korale”, “Merrja këngës me zjarrin e ëndjes”); 4 libra në shqip (“Fjalë pa këngë”, “Meditim për artin tim”, “Tradita e muzikës popullore shqiptare në Tetovë dhe rrethinat e saj”, “Hanife Sejfulla - Reçani dhe Shahindere Bërlajolli – Stafai, dy zërat e paharrueshëm të këngës shqipe”); 2 libra në maqedonisht (“Традиционалната музичка култура на Албанците од Долни Полог”); „Медитација за мојата уметност“); 3 libra të përkthyer nga serbo-kroatishtja (“Për të bukurën muzikore” - Eduard Hanslik, “Metodika e mësimit të muzikës” - Pavel Rojko, “Etnomuzikologjia” – Fric Boze); 2 skripte për shkollat e arsimit të mesëm gjimnazial (“Art muzikor I”, “Art muzikor II”).

Si botues, Bekim Ramadani ka ndihmuar për daljen në dritë edhe të ca librave tepër të veçantë nga fusha e poezisë, religjionit, udhëpërshkrimeve dhe përmbajtjeve autobiografike. Një biografi dhe bibliografi e shkurtër e Bekim Ramadanit është përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve së Kosovës.